“Bregu i Diellit” në Prishtinë përfiton hapësirë të re të gjelbër

Në lagjen “Bregu i Diellit” është realizuar një ndërhyrje për rregullimin dhe kthimin në hapësirë të gjelbër të një zone në afërsi të rrugës “Hyzri Talla”.

Komuna e Prishtinës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe ndërmarrjen “Gjelbër”, ka bërë rivitalizimin e kësaj hapësire, duke e shndërruar atë në një ambient të ri të gjelbër dhe funksional për banorët e ndërtesave përreth.

Sipas njoftimit, ndërhyrja ka përfshirë rregullimin e hapësirës dhe krijimin e kushteve më të mira për shfrytëzim publik nga qytetarët e zonës.

Autoritetet komunale kanë theksuar se projekte të tilla synojnë përmirësimin e hapësirave publike dhe rritjen e cilësisë së jetës në kryeqytet.

“Bashkë, për një Prishtinë të gjelbër dhe funksionale”, thuhet në njoftimin e Komunës.