Policia jep detaje për aksidentin ku vdiq futbollisti 22-vjeçar

Policia e Kosovës ka dhënë detaje rreth aksidentit që ndodhi në rrugën Mitrovicë–Prishtinë, ku vdiq futbollisti nga Vushtrria, Fatjon Bunjaku.

Sipas Policisë, në vetaksidentin e ndodhur në zonën e fshatit Maxhunaj janë lënduar edhe dy persona.

Viktima e aksidentit që ndodhi mbrëmë ishte futbollisti 22-vjeçar Fatjon Bunjaku.

"Më 07 qershor 2026, rreth orës 00:55, në rrugën nacionale Mitrovicë–Prishtinë, në segmentin rrugor në zonën e fshatit Maxhunaj, ka ndodhur një aksident trafiku ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit dhe dy pasagjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Ndërsa rreth orës 07:50, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) është pranuar njoftimi se, përkundër përpjekjeve të personelit mjekësor, drejtuesi i automjetit viktima mashkull 22-vjeçar, ka vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në aksident”.

“Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit e Njësisë Rajonale të Trafikut janë duke zhvilluar hetime për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit”, thotë Policia.