Pula u bën apel qytetarëve të mos e fotografojnë votën: Automatikisht ndalohen

Koordinatorja rajonale për zgjedhje, Laura Pula, tha se Zyra e Prokurorit të Shtetit po bën punën institucionale për të mbrojtur votën e qytetarëve në terren.

Pula tha se deri tani janë raportuar disa raste të dyshuara gjatë procesit të votimit.

“Kemi një rast në Mamushë, ku dy votues kanë tentuar të votojnë bashkërisht që nuk është lejuar, një rast tjetër në Gllogoc një votues ka kryer veprën penale të asgjësimit të dokumentave të votimit i cili tashmë është ndaluar për 48 orë”, tha fillimisht ajo.

Tutje, ajo tha se puna e prokurorit është “mbrojtja e votës së sovranit”.

“Ashtu si në zgjedhjet e kaluara gjithmonë roli i prokurorit është mbrojtja e votës së sovranit aty ku ka elemente që mund të cenohet, ne nuk do të hezitojmë do të ndalojmë çdo person në momentin që kemi elemente të mjaftueshme që përmbushen elemente të ndonjë vepre penale”, tha Pula.

Në anën tjetër, Pula tregoi për veprat penale me të cilat mund të ballafaqohen qytetarët rreth procesit të zgjedhjeve, teksa u bëri thirrje atyre që të mos e fotografojnë votën.

“I kemi 11 vepra penale kundër të drejtës së votimit. Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve është kur dikush e detyron dikë të votojë kundër dëshirës së vet qoftë në varësi ekonomike, qoftë në kërcënim apo kanosje. Cenimi i fshehtësisë së votimit, ne të gjithë e dimë që vota është e fshehtë, prandaj bëj apel të gjithë qytetarëve që kur të shkojnë te kutitë e votimit të mos i fotografojnë votat, pasi automatikisht do të ndalohen”, tha ajo. /klankosova