Tri sindikatat e RTK-së paralajmërojnë protesta nga e marta, kërkojnë përgjegjësi për vonesën e pagave

Tri sindikatat e Radio Televizionit të Kosovës kanë njoftuar se do të nisin protesta nga e marta, duke kundërshtuar gjendjen e rëndë financiare në mediumin publik dhe mosrealizimin e pagave për punëtorët.

Përmes një komunikate, Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë bërë të ditur se kanë mbajtur një takim urgjent, ku unanimisht kanë vendosur që protestat të nisin të martën nga ora 12:00 para ndërtesës së RTK-së në Televizion.

Sindikatat kanë kërkuar përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti i RTK-së, duke i akuzuar për neglizhencë në trajtimin e situatës financiare.

“Sindikatat kërkojnë përgjegjësi nga Bordi dhe Menaxhmenti për neglizhimin e deritashëm, të cilët kanë pasur kohë më shumë se dy javë për të zgjidhur këtë problem”, thuhet në reagim.

Sipas tyre, mosrealizimi i pagave po ua vështirëson punëtorëve përmbushjen e nevojave elementare jetësore dhe po krijon pasiguri të madhe sociale.

“Mosrealizimi i pagave ua pamundëson punëtorëve përmbushjen e nevojave bazike jetësore, përfshirë sigurimin e ushqimit, transportit dhe detyrimeve të përditshme familjare. Në këto rrethana, askush nuk mund të kërkojë përgjegjësi, performancë dhe përkushtim profesional nga punëtorët, ndërkohë që institucioni dështon të përmbushë obligimin e tij më themelor ndaj tyre”, theksohet në komunikatë.

Tri organizatat sindikale e kanë cilësuar të papranueshme situatën në të cilën është gjendur transmetuesi publik, duke vlerësuar se punëtorët nuk duhet të bartin pasojat e problemeve menaxheriale.

“Për SPRTK, SPERTK dhe ShSRK, është e papranueshme që një institucion publik me rëndësi të veçantë për informimin e qytetarëve të përballet me pasiguri financiare që vë në pikëpyetje pagesën e punëtorëve të tij. Punëtorët nuk mund dhe nuk do të mbajnë barrën e dështimeve menaxheriale, vendimeve të gabuara apo pasojave të proceseve për të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi”, thuhet më tej. /eo