Rama: Ballkani Perëndimor nuk duhet të mbahet në “dhomën e pritjes” të BE-së
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar në një konferencë për media gjatë Samitit BE – Ballkan Perëndimor në Tivat se rajoni ka nevojë për më shumë bashkim dhe një qasje më dinamike politike ndaj procesit të integrimit evropian.
Rama theksoi se mesazhet e vendeve të Ballkanit Perëndimor po fillojnë të dëgjohen më seriozisht nga Bashkimi Evropian dhe se ekziston nevoja për një ritëm të ri në procesin e zgjerimit.
“Kësaj radhe më kanë dëgjuar dhe mendoj se na duhet bashkim”, u shpreh ai.
Duke folur për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, Rama bëri një krahasim me ribashkimin e Gjermanisë, duke thënë se në atë periudhë nuk ka ekzistuar një proces i tillë i ndërlikuar negociatash si sot për vendet kandidate.
“Kur u bashkua Gjermania nuk flitej për 35 kapituj. Ata e dinin çfarë duhej bërë”, tha Rama.
Ai shtoi se procesi ende nuk ka përfunduar, por sipas tij ka hapësirë për përparim.
“Nuk është gjithçka e përfunduar, por nuk është as vonë”, theksoi kryeministri shqiptar.
Rama komentoi edhe dokumentin franko-gjerman për zgjerimin e BE-së, duke e cilësuar si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe duke theksuar se Gjermania dhe Franca nuk synojnë ta mbajnë rajonin në pritje.
Ai nënvizoi se vendet e rajonit mund të përfitojnë nga më shumë integrim gradual në proceset evropiane, por theksoi gjithashtu përgjegjësinë e vetë shteteve kandidate për përmbushjen e kushteve të anëtarësimit. /Zëri