Trump: SHBA-ja do të fitojë ushtarakisht ose në letër, mund të takohem me liderin suprem të Iranit nëse ka marrëveshje

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë konfliktin me Iranin “qoftë ushtarakisht, qoftë në letër”, duke iu referuar bisedimeve të paqëndrueshme me Teheranin. Ai gjithashtu la të kuptohet se mund të takohet me udhëheqësin suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, “nëse kjo do të shërbente për ta arritur një marrëveshje”.

“Ne do të fitojmë, sido që të vijë puna”, u tha Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të enjten vonë.

“Do të jetë ose ushtarakisht, ose në letër”, shtoi ai.

Trump tha gjithashtu se nuk ndien dëshirë të takohet me Khamenein, i cili nuk është parë që nga shpërthimi i dhunës më 28 shkurt dhe për të cilin besohet se është plagosur rëndë gjatë sulmeve ajrore amerikano-izraelite.

Megjithatë, Trump shtoi se, nëse palët arrijnë marrëveshje, një takim mes tyre është i mundur.

“Nëse do të ndodhte... do të tregoja respekt”, tha ai.

“Nuk dua të takohem, por nëse do të takohesha, do të ishte nder për mua ta takoj”, theksoi ai.

“Por, nëse arrijmë marrëveshje, është e mundur të takohem me të. Nuk do ta kisha telash aspak”, shtoi Trump.

Të mërkurën, Trump kishte thënë se Khamenei ishte “plotësisht i përfshirë” në bisedime, ndërsa sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha një ditë më parë se “ka shenja se ai po angazhohet gjithnjë e më shumë në një shkallë të caktuar”.

Trumpi: SHBA-ja mund t’i rifillojë operacionet ushtarake

Trump paralajmëroi gjithashtu se forcat amerikane do t’i rifillojnë operacionet ushtarake, nëse trupat amerikane vriten nga ndonjë sulm iranian gjatë armëpushimit të tanishëm.

Teherani dhe SHBA-ja kanë shkëmbyer sulme kohë pas kohe ditët e fundit. Më i fundit ishte sulmi iranian ndaj aeroportit ndërkombëtar të Kuvajtit të mërkurën, ku u vra një person dhe u plagosën 63 të tjerë.

Trump foli të enjten në Shtëpinë e Bardhë për një sërë temash, përfshirë luftën në Ukrainë, Kubën dhe çështjet e tregtisë globale.

Trump tha se SHBA-ja nuk ka nevojë për marrëveshje me Teheranin për t’i nxjerrë jashtë vendit rezervat iraniane të uraniumit të pasuruar.

“Mund ta marrim qysh tani. Nuk besoj se mund të na ndalojnë nëse ne duam, por nuk kemi arsye ta bëjmë. Është i varrosur dhe i izoluar,” u tha Trump gazetarëve, duke folur për materialin e uraniumit që mund të përdoret për ndërtimin e një arme bërthamore.

Trump pretendoi se uraniumi ndodhet nën mbikëqyrje. “Kemi kamera mbi të”, tha ai, pa dhënë më shumë hollësi.

Mohsen Rezaei, këshilltar i udhëheqësit suprem iranian, theksoi se drafti i tanishëm i memorandumit të mirëkuptimit që po negociohet për t’i dhënë fund luftës, përmban paqartësi që duhet të sqarohen.

Ai pretendoi se Trump po përpiqet të ushtrojë trysni mbi Teheranin që t’i pranojë kushtet e tij, ndërsa kushtet e Iranit po mbeten qëllimisht të paqarta.

Përparim në Liban mes dhunës së vazhdueshme?

Trump tha gjithashtu se beson se po bëhet përparim në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Libanit dhe se Libani meriton paqe. Ai shtoi se “madje ka folur me Hezbollahun për këtë çështje”.

Hezbollah, grup i mbështetur nga Irani që kontrollon pjesë të mëdha të Libanit jugor, konsiderohet organizatë terroriste nga SHBA-ja. Ndërkohë, Bashkimi Evropian e ka futur në listën e zezë krahun e tij ushtarak, por jo degën politike.

Trump kishte thënë edhe më 1 qershor se kishte folur me Hezbollahun, por më pas Shtëpia e Bardhë sqaroi se komunikimi ishte bërë përmes ndërmjetësve.

Duke qenë se Hezbollahu është organizatë e shpallur terroriste, asnjë president amerikan më parë nuk ka pranuar publikisht se ka komunikuar me këtë grup, qoftë drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësve.

Të enjten, Hezbollahu e refuzoi një armëpushim të ri në Liban, ndërsa Izraeli deklaroi se nuk do të tërhiqte trupat nga vendi, duke zbehur përpjekjet amerikane për t’i dhënë fund luftimeve si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje me Iranin.

Hezbollahu nuk është pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në bisedimet që përfshijnë SHBA-në, Izraelin dhe Qeverinë libaneze.

Trump tha se kishte folur edhe me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

“Mendoj se po bëhet përparim. Kjo ka vazhduar për një kohë të gjatë”, tha ai.

“Do të ishte vërtet mirë nëse Libani do të mund të kishte paqe. Libani ka qenë nën sulm për shumë vite dhe gjithmonë ka qenë si pala më e dobët. Do të ishte shumë mirë nëse kjo do të përfundonte”, shtoi Trump.

Teherani e ka bërë armëpushimin në Liban një nga kushtet e tij për një marrëveshje paqeje me Uashingtonin. Ai ka lënë të kuptohet se mund të ndërhyjë drejtpërdrejt nëse forcat izraelite vazhdojnë sulmet intensive atje. /REL