Mrekulli në Everest: Besohej se kishte vdekur, udhërrëfyesi gjendet i gjallë pas gjashtë ditësh

Një udhërrëfyes nga Nepali, i cili mendohej se ka vdekur në malin Everest, është gjetur duke zbritur zvarrë drejt Kampit Bazë, gjashtë ditë pasi ishte parë i gjallë për herë të fundit.

Dawa Sherpa u pa për herë të fundit mbi Kampin 3, rreth 7.500 m lartësi, ndërsa zbriste nga mali pasi u ngjit në majë. Shpresat për mbijetesën e tij ishin të pakta, pasi ajri në atë lartësi është i rrallë - por të enjten një ekip pastrimi vuri re alpinistin me përvojë, i cili kishte ngrirje në duar, por dukej se ishte në gjendje të mirë shëndetësore, duke rrëshqitur ngadalë poshtë.

"Dawa arriti të mbijetojë kundër të gjitha parashikimeve për ditë të tëra. Është thjesht një mrekulli", tha Pemba Sherpa, drejtoreshë ekzekutive e 8K Expeditions, e cila mbikëqyrte përpjekjet e kërkimit.

"Ky është një shpëtim i vërtetë", shtoi ajo.

Pesë persona kanë vdekur deri më tani në ngjitjen e këtij viti, tre prej të cilëve nepalezë të përfshirë në përgatitjet për në Everest, sipas agjencisë së lajmeve AFP.

Më shumë se 1.000 persona arritën majën e Everestit këtë sezon, duke e bërë atë më të ngarkuarin të regjistruar ndonjëherë. Tani raportohet se Dawa Sherpa po i nënshtrohet trajtimit.