Avokati Smakiqi: Tarifa e propozuar nga Komuna e Prishtinës është diskriminuese dhe kundërligjshme

Avokati Xhevdet Smakiqi ka kundërshtuar ashpër draft-rregulloren e Komunës së Prishtinës, e cila parasheh vendosjen e një tarife vjetore prej 1 mijë eurosh për avokatët që ushtrojnë veprimtarinë në territorin administrativ të kryeqytetit.

Përmes një reagimi publik, Smakiqi ka kërkuar që propozimi të tërhiqet, duke argumentuar se ai bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Ligjin për Avokatinë.

Sipas tij, vendosja e një tarife të tillë vetëm për avokatët që veprojnë në Prishtinë krijon pabarazi në raport me anëtarët e tjerë të Odës së Avokatëve të Kosovës që ushtrojnë profesionin në komunat tjera.

Ai vlerëson se propozimi është diskriminues, pasi avokatët në kushte të njëjta profesionale do të trajtoheshin ndryshe varësisht nga komuna ku zhvillojnë veprimtarinë e tyre.

Smakiqi ka theksuar gjithashtu se Komuna e Prishtinës nuk ka bazë ligjore për të vendosur një tarifë të tillë, duke argumentuar se licencimi dhe tarifimi i avokatëve është kompetencë ekskluzive e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Sipas tij, masa nuk ka as arsyetim ekonomik, pasi nuk lidhet me ndonjë shërbim shtesë që komuna do t’u ofronte zyrave të avokatëve në këmbim të pagesës së tarifës.

Në fund të reagimit, ai i ka bërë thirrje Odës së Avokatëve të Kosovës që ta kundërshtojë zyrtarisht propozimin dhe, nëse vërejtjet nuk merren parasysh, të shqyrtojë mundësinë e ngritjes së padisë në konflikt administrativ në Gjykatën Supreme të Kosovës për anulimin e kësaj pjese të aktit nënligjor.

Smakiqi ka njoftuar se diskutimi publik për draft-rregulloren do të mbahet më 4 qershor 2026 në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke autorizuar kolegët avokatë që të përdorin argumentet e tij gjatë debatit publik.