Costa për raportet Kosovë - Serbi: Duhet të fokusohemi te e ardhmja e përbashkët evropiane, jo te konfliktet e së kaluarës

Presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, ka shmangur një përgjigje të drejtpërdrejtë lidhur me llogaridhënien e Serbisë për sulmin në Banjskë, duke theksuar se fokusi duhet të jetë te e ardhmja evropiane dhe bashkëpunimi mes vendeve.

I pyetur në një konferencë për media në Prishtinë për sulmin e ndodhur në Banjskë në shtator të vitit 2023 dhe për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, Costa tha se Bashkimi Evropian është ndërtuar mbi tejkalimin e konflikteve historike.

“Bashkimi Evropian është projekt për paqe. Bashkimi Evropian ka lindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Evropian ka lindur kur dy pjesëmarrësit e mëhershëm, Gjermania dhe Franca, kanë vendosur t’i tejkalojnë mospajtimet dhe të përqendrohen në një të ardhme të begatë dhe përparimtare”, deklaroi ai.

Sipas Costas, edhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të ndjekin të njëjtën rrugë, duke lënë pas konfliktet e së kaluarës dhe duke u fokusuar në integrimin evropian.

“Të gjithë ne kemi pasur probleme me fqinjët tanë në të kaluarën. Nganjëherë probleme shumë dramatike, por ne duhet të vendosim se çka duam për të ardhmen tonë të përbashkët. Ne duhet të përqendrohemi në të ardhmen e përbashkët”, tha Presidenti i Këshillit Evropian.

Deklarata e tij erdhi në përgjigje të pyetjeve për përgjegjësinë e Serbisë lidhur me sulmin e armatosur në Banjskë dhe pritjet e Bashkimit Evropian për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovo dhe Serbia.