Hovenier: Reputacioni i Kosovës në Washington ka pësuar “goditje serioze” gjatë 16 muajve të fundit
Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se reputacioni i Kosovës në Washington ka pësuar “goditje serioze” gjatë 16 muajve të fundit.
Në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, Kosovo-Online, ai ka thënë se kjo vlen si vlerësim nga dikush që ka investuar për vite në marrëdhëniet Kosovë–SHBA.
“Mendoj se reputacioni i Kosovës në Washington ka pësuar një goditje serioze gjatë 16 muajve të fundit”, ka deklaruar Hovenieri, transmeton Zeri.info.
Ai ka shtuar se zhvillimet politike në vend kanë ndikuar në perceptimin e partnerëve ndërkombëtarë për aftësinë e institucioneve për të funksionuar dhe për të përmbushur zotimet.
“Washingtoni bashkëpunon më mirë me partnerë që janë të parashikueshëm dhe të aftë të realizojnë atë që premtojnë”, u shpreh ai, duke theksuar se kjo situatë ka sjellë edhe pasoja financiare.
Sipas tij, Kosova rrezikon të humbasë fonde të rëndësishme ndërkombëtare nëse nuk ndërmerren reforma, ndërsa bllokada institucionale po e thellon problemin.
“Prandaj, për rikthimin e besimit do të nevojitet shumë më tepër se fjalë. Qeveria e re duhet të tregojë seriozitet”, tha Hovenieri, duke përmendur nevojën për formim të institucioneve funksionale dhe stabilitet politik.
Ai theksoi se duhet të ketë hapa të qartë drejt uljes së tensioneve dhe zbatimit të reformave në sundimin e ligjit.
“Qeveria e re do të duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të konsoliduar kapacitetet e saj dhe për të rindërtuar besimin,” shtoi ai.
Megjithatë, Hovenieri tha se ekzistojnë edhe sinjale pozitive për të ardhmen e marrëdhënieve me SHBA-në.
“Më duket se gatishmëria e Washingtonit për t’u riangazhuar është reale”, theksoi ai, por paralajmëroi se “kjo mundësi nuk do të mbetet e hapur pafundësisht”.
Sipas tij, të njëjtat pritje vlejnë edhe për Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova duhet të veprojë shpejt për të rikthyer besimin e partnerëve ndërkombëtarë. /Zëri