Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për kanosjen e Shkëlzen Gashit

Në seancën fillestare të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, është deklaruar i pafajshëm Agron Podvorica, i cili po akuzohet se kanosi Shkëlzen Gashin lidhur me një deklaratë të dhënë në T7 lidhur me krimet e luftës në Kosovë gjatë viteve 1998-1999.

Deklarimin lidhur me fajësinë i akuzuari Podvorica e bëri pasi prokurori Avni Namani lexoi aktakuzën.

“Nuk ndjehem fajtor, sepse nuk e kam bërë”, u deklarua Podvorica.

Mbrojtësi i të akuzuarit Podvorica, avokati Heset Mazrekaj, deklaroi se e mbështet deklarimin e të mbrojturit të tij, duke theksuar se ai arsyeshëm deklaron që në kohën kur pretendohet se është kryer vepra penale, ai nuk ishte fare në Kosovë dhe gjendej nën masën e paraburgimit në Gjermani.

Gjyqtari i rastit, Eroll Gashi, njoftoi të akuzuarin dhe mbrojtësin e tij se në afat prej 30 ditësh kanë të drejtë të bëjnë kundërshtimin e provave dhe të paraqesin kërkesë për hedhje të aktakuzës.

Ndryshe, i dëmtuari Gashi nuk ishte i pranishëm në seancë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur me datë 2 dhjetor 2025, i akuzuari Agron Podvorica akuzohet se më 2 maj 2020, me qëllim të frikësimit i ka dërguar mesazh kërcënues të dëmtuarit Shkëlzen Gashi, pasi që ky i fundit ka dhënë një intervistë në televizionin “T7” në emisionin “Frontal” lidhur me krimet e luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Podvorica përmes “Messengerit” e ka kanosur seriozisht të dëmtuarin duke i thënë “pasha ketë ramazan me benzinë pa të kall tybe nuk e la” dhe duke i thenë “ki met tash e masë“, për çka tek i dëmtuari Gashi ka shkaktuar ndjenjën e ankthit, frikës dhe pasigurisë për jetë.

Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga Neni 181, par. 3 lidhur me par. 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi