Konfirmohet prezenca e Trumpit në samitin e NATO-s në Ankara

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump do të marrë pjesë në samitin e ardhshëm të NATO-s që do të mbahet në Ankara gjatë muajit korrik, një takim që pritet të fokusohet në sfidat e sigurisë globale dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare të aleancës.

Lajmin e bëri të ditur Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i cili në një intervistë për Bloomberg TV deklaroi se Trump ka lënë të kuptohet në disa biseda telefonike me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, se planifikon të jetë i pranishëm në samitin që do të mbahet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.

Sipas rij, presidenti amerikan ka dhënë sinjale pozitive për pjesëmarrjen e tij në këtë takim të rëndësishëm, i cili pritet të mbledhë liderët e vendeve anëtare të NATO-s në një kohë kur çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes vazhdojnë të dominojnë agjendën ndërkombëtare.

Ministri turk theksoi se, pavarësisht debateve dhe deklaratave të mëhershme lidhur me rolin e SHBA-së në aleancë, Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s dhe ndaj detyrimeve që burojnë nga anëtarësimi në organizatë.

“Ne nuk shohim shenja që Shtetet e Bashkuara po planifikojnë të ndërmarrin hapa konkretë drejt largimit nga NATO”, deklaroi Fidan, duke shtuar se bashkëpunimi mes aleatëve vazhdon të mbetet një element kyç për sigurinë euroatlantike.

Samiti i NATO-s në Ankara pritet të jetë një nga takimet më të rëndësishme të aleancës këtë vit, pasi do të trajtojë jo vetëm çështjet e mbrojtjes kolektive, por edhe sfidat e sigurisë globale, zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe raportet mes aleatëve në një periudhë të tensionuar gjeopolitike.