Sveçla: Ligji për shtetësinë nuk është diçka e re, por buron nga Kushtetuta dhe Pakoja e Ahtisaarit

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se për shkak të interesimit të madh publik është e nevojshme të sqarohen, sipas tij, disa keqinformime lidhur me Nenin 31 të ligjit që ka nxitur debat në opinion.

Në një konferencë për media, Sveçla tha se Neni 31 nuk përbën një dispozitë të re ligjore, por është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës së Kosovës.

“Për shkak të interesimit publik është e rëndësishme të sqarohen disa fakte themelore, posaçërisht për Nenin 31 të këtij ligji, i cili nuk është dispozitë e re. Ky nen është pjesë e dispozitave themelore të Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht Nenit 155, që derivon nga Pakoja e Ahtisaarit”, deklaroi ai, transmeton Zeri.info.

Sipas Sveçlës, e drejta e paraparë në këtë nen nuk është futur dhe as njohur nga qeveria aktuale, siç pretendohet nga opozita.

“Kjo e drejtë nuk është futur apo njohur nga kjo qeveri, ashtu siç opozita po e proklamon”, shtoi ministri në detyrë.

Deklarata e Sveçlës vjen në kohën kur dispozitat e ligjit në fjalë kanë nxitur reagime dhe debate politike mes pushtetit dhe opozitës. /Zëri