Midis historisë dhe liderit: Si vendoset vota në Kosovë?

Në sheshin e Drenasit qëndrojnë nëntë shtatore.

Në këtë qytet me rreth 48 mijë banorë, në pjesën qendrore të Kosovës, secila prej tyre përfaqëson një histori nga lufta: nga tri shtatoret e vëllezërve Adem, Shaban e Hamëz Jashari deri tek ajo e mjekut Hafir Shala, që është ende i pagjetur.

Lufta e fundit në Kosovë gjatë viteve 1998-99 ka përcaktuar shumëçka për këtë qytet të Drenicës - rajonin që ishte ndër më të prekurit nga pasojat e saj.

Për shkak se ishte vatër kryesore e rezistencës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), banorët e kësaj zone pësuan humbje të mëdha, si në njerëz ashtu edhe në pasuri.

Tani, 27 vjet më vonë, shumë prej tyre vazhdojnë të votojnë për Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), që është themeluar në vitin 1999 nga udhëheqës të UÇK-së.

Ish-udhëheqësi i kësaj partie, Hashim Thaçi - që aktualisht po pret aktgjykimin në Hagë për akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit - ishte gjithashtu kryeministër në shkurt të vitit 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë.

Kjo histori e partisë bën që shumë banorë të Drenasit me të cilët foli Radio Evropa e Lirë, të mos e vënë në dyshim zgjedhjen e tyre politike.

Ruzhdi Orana, ish-pjesëtar i UÇK-së, është njëri ndër ta.

“Pjesëtarët e UÇK-së e formuan PDK-në. Po aty nisi rruga drejt pavarësisë, që e solli prapë kjo parti. Për mua do të ishte mëkat i madh nëse do të votoja një parti tjetër”, thotë Orana për REL-in.

Ai thekson se historitë e luftës dhe vuajtjes janë transmetuar nga gjeneratat e vjetra te të rinjtë dhe kështu, në këtë rajon, është ndërtuar një ndjenjë besnikërie që i tejkalon programet politike.

Shyqyri Hoxha, nga e njëjta komunë, mban të njëjtin qëndrim.

“Drenica s’mund ta lërë PDK-në se ne e dimë çka është lufta. S’mund të largohemi prej PDK-së”, thotë ai.

Të njëjtën frymë besnikërie e ka gëzuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ndër vite, për shkak të ish-liderit të saj, Ibrahim Rugova, që ka udhëhequr rezistencën paqësore ndaj ish-regjimit serb.

Gati dy dekada pas vdekjes së Rugovës, djali i tij, Ukë Rugova, u kthye sërish në politikë. Në zgjedhjet e parakohshme të dhjetorit të vitit të kaluar, me gati 50 mijë vota, ai ishte i treti më i votuari në listën e LDK-së.

“RUGOVIZMI JETON! RUGOVIZMI FITON!” shkroi së fundi e para në listën e kësaj partie për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 7 qershor, Vjosa Osmani, në një postim në Facebook pas një tubimi elektoral.

Vjosa Osmani, gjatë fjalimit në eventin hapës të fushatës zgjedhore për LDK-në. Në prapavijë, një foto dhe emri i Ibrahim Rugovës.

Në të kaluarën, ndër bastionet e kësaj partie ka qenë Komuna e Podujevës, e që tani është shndërruar në një vend ku Lëvizja Vetëvendosje (LVV) fiton rreth 60 për qind, e i ka fituar edhe zgjedhjet lokale.

Në këtë komunë, madje, një qytetar ka ndërtuar një statujë të udhëheqësit të LVV-së, Albin Kurti, tani kryeministër në detyrë.

Atë e ka vendosur para shtëpisë së tij, duke e titulluar “shpresa e fundit”.

Këto dy forma të lidhjes politike, me historinë e partisë dhe me figurën e liderit, pasqyrojnë edhe gjetjet e një sondazhi të kompanisë kërkimore, UBO Consulting, sipas të cilit ato janë faktorët kryesorë që ndikojnë në votën e qytetarëve në Kosovë.

Në këtë kontekst, Bryan McGraw, profesor i Shkencave Politike në kolegjin amerikan Wheaton, thekson se demokracitë moderne kudo në botë po përjetojnë një lloj transformimi në mënyrën se si funksionojnë partitë dhe si bëhet përzgjedhja politike.

Sipas tij, dobësimi i partive si institucione dhe rritja e rolit të liderëve individualë janë rezultat i reformave institucionale dhe ndryshimeve në komunikim politik.

“Partitë janë dobësuar nga ndryshimet në sistemet zgjedhore dhe nga rritja e ndikimit të mediave dhe rrjeteve sociale, të cilat e bëjnë më të lehtë për liderët të komunikojnë drejtpërdrejt me votuesit dhe t’i anashkalojnë strukturat partiake”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

McGraw argumenton gjithashtu se kjo sjell një efekt zinxhiror: fushatat bëhen gjithnjë e më personale, partitë gjithnjë e më shumë shndërrohen në “brende” dhe më pak në institucione që prodhojnë politika, ndërsa përgjegjësia politike bëhet më e vështirë për t’u identifikuar.

Në këtë proces, sipas tij, votuesit shpesh orientohen më shumë nga figura dhe spektakli politik sesa nga programet konkrete.

Ai thekson se në sisteme të tilla, edhe votimi i informuar bëhet më i vështirë.

Në Kosovë, kjo dinamikë merr një dimension të veçantë, duke qenë se zgjedhjet parlamentare të qershorit do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar.

Ky cikël i shpeshtë elektoral e mban vazhdimisht politikën në fushatë.

“Nëse votuesit do të marrin vendime politike kryesisht bazuar në ‘lajmet’ që marrin nga rrjetet e tyre sociale, nuk duhet të presim aspak që ato zgjedhje të jenë të mirinformuara”, përfundon McGraw.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar në të kaluarën se si partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro për reklama në rrjete sociale gjatë fushatave elektorale, për ta arritur audiencën e targetuar nga ta.

E njëjta gjë shihet edhe tani, në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare. Në shtatë ditët e fundit, shpenzuesit më të mëdhenj dalin të jenë Ardian Gjini i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës me gati 3 mijë euro, Bedri Hamza i PDK-së me rreth 2.100 dhe Uran Ismaili i PDK-së me rreth 1.300.

Pothuajse të gjitha postimet e sponsorizuara janë thirrje për mbështetje dhe përmbledhje të aktiviteteve nga tubimet elektorale.