Kastrioti, kampion i Kosovës
Trofeu i kampionit kthehet në qytetin e hendbollit – në Ferizaj.
Kastrioti është kampion i Kosovës në hendboll në konkurrencë të meshkujve.
Në finale shumë interesante të plejofit, Kastrioti e mposhti Rahovecin me rezultatin 3:1.
Ndeshja vendimtare u zhvillua të dielën mbrëma në Rahovec. Pas një loje shumë dramatike, Kastrioti fitoi me rezultatin 25:23.
Kastrioti e ka fituar titullin e kampionit pas plot 15 vjetësh. Gjithsej i ka gjashtë tituj me këtë emër të klubit. Rahoveci i fitoi dy titujt e kaluar, por prej të dielës Kosova ka kampion të ri.
Portieri Wadi Chebbi ishte hero i finales për Kastriotin. Në fakt Chebbi ka shkëlqyer gjatë gjithë kampionatit dhe ishte mur i pakalueshëm edhe në finale. Ai bëri pritje të shumta, duke përfshirë një vendimtare në minutën e fundit.
Yassine Henahen ishte më efikasi te ferizajasit me shtatë gola. Pesë i shënoi Felippe Teixeira, kurse nga tri i realizuan Alban Haziri, Festim Mustafa e Albin Ahlin.
Ndeshje të madhe kishte edhe portieri i Rahovecit, Arti Luzha. Pritjet e tij po ashtu ishin të shumta. Egzon Gjuka dhe Guilherme Fernandes i realizuan nga pesë gola. Katër i kishte Mali Luzha.
Ferizajasit ishin në epërsi thuajse gjithë pjesën e parë. Epërsia e tyre shkoi deri në tri gola.
Rrjedha ishte e njëjtë edhe në pjesën e dytë. Kastrioti u shkëput deri në katër gola, 21:17. Por
“vreshtarët” luftarakë nuk u dorëzuan. Pas rezultatit 22:20 për mysafirët, Mali Luzha i realizoi dy gola rresht për të barazuar në 22:22 në minutën e 57-të.
Më pas Yassine Henahen shënoi për 23:22, kurse për 23:23 shënoi Ardit Tafilaj. Pasoi tjetri gol i Henahenit për 24:23 e më pas Chebbi bëri pritje vendimtare. Fare në fund, Alban Haziri shënoi për 25:23 dhe për festën e madhe të ferizajasve.
Kastrioti këtë edicion e ka fituar edhe Kupën e Kosovës.
Trofeun e kampionit, kapitenit të Kastriotit, Beni Sula ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci.