Obiliq: Dyshohet për shërbime mjekësore pa leje, mbyllet objekti
Policia e Kosovës ka raportuar për një rast në Obiliq, ku dyshohet se në një objekt janë ofruar shërbime mjekësore pa leje të vlefshme nga Ministria e Shëndetësisë.
Sipas raportit 24-orësh, lidhur me rastin është informuar Inspektorati Farmaceutik dhe Shëndetësor, i cili në bashkëpunim me autoritetet ka vendosur vulën zyrtare për ndalimin e veprimtarisë së këtij objekti.
Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar dy persona, një burrë dhe një grua, të cilët pas inicimit të rastit dhe me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
“Gjithashtu në një hapësirë tjetër të objektit janë gjetur pjesë të vjetruara të uniformës së policisë së Kosovës”, thotë PK.