Shfaqet Lia e Deleve dhe Dhive në Suharekë, ndalohet tregtimi i kafshëve
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konfirmuar praninë e sëmundjes Lija e Deleve/Dhive (Sheep Pox/Goat Pox) në një fermë të deleve në fshatin Delloc, Komuna e Suharekës.
Sipas AUV-së, mostrat e marra dhe të analizuara në Laboratorin e Ushqimit dhe Veterinarisë kanë vërtetuar praninë e kësaj sëmundjeje. Menjëherë pas konfirmimit, ekipet e AUV-së, në bashkëpunim me veterinerët privatë dhe akterët e tjerë relevantë, kanë ndërmarrë masat e nevojshme për kontrollimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.
Bazuar në Ligjin Nr. 2004/21 për Veterinarinë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ka vendosur masat e përgjithshme për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e sëmundjes Lija e Deleve/Dhive në Kosovë.
Masat zbatohen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, ndërsa varësisht nga situata ato mund të ndryshojnë.
Sipas vendimit:
Ndalohet lëvizja e deleve dhe dhive nga fermat, tregtimi në tregje dhe shitblerja e tyre;
Fermat ku konfirmohet sëmundja vendosen në izolim dhe karantinë të plotë, me ndalim të hyrje-daljeve;
Fermerët obligohen që për çdo ndryshim të gjendjes shëndetësore të kafshëve të njoftojnë menjëherë veterinerin;
Praktikat veterinare obligohen të zbatojnë protokollet veterinare për parandalimin dhe luftimin e sëmundjes;
Fermerët duhet të aktivizojnë masat e biosigurisë në fermat e tyre;
Komunat duhet të përcaktojnë lokacionet për groposjen e kafshëve të ngordhura;
AUV do të vazhdojë hulumtimin epidemiologjik, marrjen e mostrave dhe testimet laboratorike.
Përjashtimisht, lejohet lëvizja e kafshëve nga fermat e lira nga kjo sëmundje deri në thertore të licencuara, me pëlqimin paraprak të inspektorit veterinar të AUV-së.
Po ashtu, të gjithë menaxherët e tregjeve obligohen të pezullojnë tregtimin e deleve dhe dhive, ndërsa Policia e Kosovës dhe organet komunale do të mbikëqyrin zbatimin e masave në koordinim me AUV-në.
Masat hyjnë në fuqi menjëherë.
Lija e deleve dhe dhive është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek delet dhe dhitë. Ajo shkaktohet nga një virus i familjes Capripoxvirus dhe konsiderohet ndër sëmundjet më të rënda për këto specie.
Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë, humbje oreksi, plogështi, rrjedhje nga hunda dhe sytë, lezione në lëkurë, vështirësi në frymëmarrje, si dhe në disa raste diarre dhe dobësim të përgjithshëm.
Sëmundja transmetohet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshë të infektuara, sekrecioneve dhe mjedisit të kontaminuar.
AUV thekson se kjo sëmundje nuk është zoonotike, nuk përbën rrezik për shëndetin e njerëzve dhe nuk transmetohet nga kafsha tek njeriu.
Për raportim të rasteve, qytetarët mund të kontaktojnë në numrin pa pagesë 0800 500 95, i cili është në dispozicion 24 orë.