Shqipëria, 150 sportistë në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”
Shqipëria në Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, që nisin më 21 gusht dhe përfundojnë më 3 shtator, në sportet kolektive do të marrë pjesë vetëm në futboll.
Të premten pasdite është hedhur dhe shorti i ndarjes së grupeve, ndërsa Shqipëria do të përfaqësohet me kombëtaren e moshës deri në 21 vjeç, që drejtohet nga Alban Bushi. Në grup kuqezinjtë do të jenë me Italinë, Algjerinë dhe Kosovën.
Ajo që bie në sy është se për të disatën herë nuk përfaqësohemi në volejboll, basketboll 3×3, hendboll dhe vaterpolo. Edhe pse në Latakia 1987 për histori kemi qenë medalist të artë në volejbollin e femrave, sikurse kemi qenë po në të njëjtin aktivitet me basketbollin e vajzave. Gjithsej do të jenë 150 sportistë, kurse kuqezinjtë do të përfaqësohen edhe në atletikë, boks, çiklizëm, skermë, not, gjimnastikë, xhudo, karate, padel, qitje, ping-pong, taekuondo world, triatlon, peshëngritje dhe mundje.
Në “Oran 2022”, Shqipëria pat marrë katër medalje. Dhe pikërisht 2 të arta me Zelimkan Abakarov në mundje dhe Luiza Gegën në 3000 metra me pengesa, e cila pat vendosur dhe rekord mesdhetar për aktivitetin. Një të argjendtë në peshëngritje me Erkand Qerimajn në stilin e shkëputjes me 149 kilogram në peshën deri në 73 kilogram. Si dhe një të bronztë në mundje me Islam Dudaev.
Dhe me një numër rekord sportistësh, si rrallëherë, por vetëm me futbollin në sportet kolektive, Shqipëria shpreson të jetë përsëri në podiumin e medaljeve dhe në Taranto.