BIRN:Veturat e sekuestruara në Banjskë lidhen me Radoiçiqin e Veselinoviqin

BIRN në Serbi ka publikuar një lajm ku thotë se, në kuadër të hetimeve për sulmin në Banjskë në veri të Kosovës, janë gjetur dy “Mercedes” të blinduar në pronësi të firmës beogradase Pent Rent, e cila sipas tyre lidhet me Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq dhe është pjesë e një rrjeti kompanish me kontrata të mëdha në tenderë shtetërorë.

BIRN shkruan se një ditë pas sulmit në Banjskë më 24 shtator 2023, Policia e Kosovës ka prezantuar një sasi të madhe armësh, pajisjesh ushtarake dhe automjetesh të sekuestruara në atë zonë, të përdorura nga grupi i armatosur i udhëhequr nga Milan Radoiçië.

Sipas BIRN-it, ndër automjetet e sekuestruara kanë qenë edhe dy “Mercedes” G-Class, të cilët sipas të dhënave të hetimit në Prishtinë janë në pronësi të firmës Pent Rent.

BIRN tutje raporton se Pent Rent lidhet me disa kompani që realizojnë kontrata të mëdha në tenderë shtetërorë, përfshirë kompani të lidhura me Elektroizgradnja Bajina Bashta dhe C&LC Group.

Sipas BIRN-it, të dhënat publike dhe burime të njohura me biznesin e këtyre kompanive në Serbi tregojnë se ato i përkasin një rrjeti më të gjerë biznesi të lidhur me Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq.

BIRN po ashtu thekson se në një nga automjetet e sekuestruara është gjetur një leje armësh në emër të Milan Radoiçiq, ndërsa automjetet fillimisht kanë qenë me ngjyrë të zezë dhe më pas janë mbuluar me folje mbrojtëse me ngjyrë jeshile.

Mes tjerash raportohet se, një nga “Mercedes”-ët është identifikuar edhe në Regjistrin e Barrëve si pjesë e një kredie të regjistruar nga Pent Rent në vitin 2018, me kreditor Addiko Bank.

BIRN shkruan se Pent Rent është themeluar në vitin 2016 dhe figuron në pronësi të Dushko ëenadija, i cili sipas tyre lidhet me Milorad Lovrië dhe rrjetin e kompanive të lidhura me Veselinoviq dhe Radoiëiq.

BIRN po ashtu citon deklarime të mëhershme të Milorad Lovriq, i cili ka thënë se ka bashkëpunuar me Zvonko Veselinoviq që në vitet 2014–2015, por ka mohuar lidhje më të afërta biznesi.

Sipas BIRN-it, të dhënat financiare tregojnë se Pent Rent nuk ka funksionuar vetëm si kompani rent-a-car, por edhe si kanal për qarkullimin e mjeteve financiare brenda një rrjeti kompanish të lidhura.

BIRN gjithashtu raporton se Pent Rent është pronar i Elektroizgradnja Bajina Bashta, e cila sipas tyre ka realizuar transfere të mëdha financiare drejt kompanive të tjera të rrjetit, përfshirë C&LC Group.

Sipas BIRN-it, C&LC Group është një nga operatorët më të mëdhenj privatë të transportit publik në Beograd, me kontrata të mëdha në transportin urban.

BIRN thekson se ka dërguar pyetje për personat dhe kompanitë e përfshira, por deri në publikim nuk ka marrë përgjigje.

Në fund, BIRN kujton se në sulmin në Banjskë kanë humbur jetën katër persona, ndërsa Milan Radoiçië, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndodhet ende i lirë në Serbi, ndërsa ndaj tij në Kosovë është ngritur aktakuzë.