Ndalohet një zyrtar komunal në Kllokot, dyshohet se përfitoi mbi 39 mijë euro pa shkuar në punë

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se është ndaluar një person i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas njoftimit, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me DKKO-në në Gjilan, pas zhvillimit të hetimeve dhe aplikimit të masave të veçanta hetimore, ka ndaluar të dyshuarin me inicialet S.S.

Prokuroria njofton se i dyshuari, nga viti 2019 deri më 2 mars 2026, ka qenë i punësuar në Komunën e Kllokotit në pozitën e zyrtarit për kulturë, rini dhe sport, si dhe menaxher i bibliotekës së Kllokotit.

Sipas dyshimeve, ai me dashje ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke mos u paraqitur në vendin e punës dhe duke mos ushtruar aktivitetet që i parashihte kontrata e punës, ndërkohë që ka vazhduar të përfitojë pagë mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Nga veprimet e dyshuara, sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit është dëmtuar në vlerë prej 39 mijë e 231 eurove e 21 centësh.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarit janë iniciuar hetimet dhe se brenda afateve ligjore do të kërkohet masa për sigurimin e pranisë së tij në procedurë pranë Gjykatës Themelore në Gjilan. /Zëri