Një muaj paraburgim personit që dyshohet se vrau 37-vjeçarin në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj A.S., i cili dyshohet për vrasjen e E.I.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, përmes gjyqtarit të procedurës paraprake Xhemajl Jusufi ka marrë aktvendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të pandehurit A.S., lidhur me dyshimet për kryerjen e veprave penale: ‘Vrasja e rëndë’, nga Neni 173, par. 1 nën par. 1.8, ‘Vrasja në tentativë’, nga Neni 172 lidhur me Nenin 28, ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, nga Neni 366, par. 1 të KPRK-së. Sipas aktvendimit, të pandehurit Arben Spasolli i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.

Gjykata bëri të ditur se koha e paraburgimit do t’i llogaritet nga data 27 maj 2026 deri më 26 qershor 2026.