KQZ-ja akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur të premten ka akredituar 761 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026, ndërsa ka refuzuar akreditimin e dy organizatave për shkak të mosplotësimit të kritereve ligjore.

KQZ-ja miratoi rekomandimin e Zyrës për grupin e parë të organizatave vëzhguese për monitorimin e procesit zgjedhor.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, tha se organizatat e akredituara kanë përmbushur kriteret ligjore për vëzhgimin e zgjedhjeve.

Ndërkaq, ai bëri të ditur se dy organizata nuk janë akredituar, pasi nuk kanë përmbushur kriteret e parapara.

“Advocacy Center for Democratic Culture, ka aplikuar për t’u akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë 07.06.2026. Zyra, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë joqeveritare, ka konstatuar se dokumentacioni i dorëzuar nuk është në përputhje me Nenin 54, paragrafi 1 të Ligjit Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. Nga analiza e statutit, dhe fushë veprimtarisë së organizatës në fjalë, rezulton se ajo nuk zhvillon veprimtari që ndërlidhen me proceset zgjedhore, apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet shprehimisht nga dispozitat ligjore në fuqi për akreditimin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Zyra i rekomandon KQZ-së, refuzimin e kërkesës për akreditim të ‘Advocacy Center for Democratic Culture’ për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

Po ashtu, Buzhala tha se Zyra ka rekomanduar refuzimin e akreditimit edhe për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju”, pasi ka përdorur terminologjinë “Kosovë dhe Metohi”, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.

“Odbor za kontrolu i opservaciju, ka aplikuar për t’u akredituar me qëllim të vëzhgimit të Zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, datë 07.06.2026. Zyra, gjatë shqyrtimit dhe vlerësimit të dokumentacionit të paraqitur nga kjo organizatë ndërkombëtare, ka konstatuar se në dokumentacionin zyrtar të saj i është referuar Republikës së Kosovës me terminologjinë ‘Kosovë dhe Metohi’, formulim ky që bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës. Përdorimi i një emërtimi të tillë cenon drejtpërdrejt subjektivitetin shtetëror, integritetin kushtetues dhe rendin juridik të Republikës së Kosovës, siç përcaktohet me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht me nenin 1 të saj, ku përcaktohet se Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm. Përdorimi i kësaj terminologjie është në kundërshtim edhe me parimet themelore kushtetuese mbi sovranitetin, identitetin shtetëror dhe respektimin e rendit juridik të Republikës së Kosovës nga çdo subjekt që kërkon akreditim dhe ushtrim të aktivitetit në territorin e Republikës së Kosovës. Për rrjedhojë, duke u bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, si dhe në obligimin institucional për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, Zyra vlerëson se nuk janë plotësuar kushtet ligjore për aprovimin e kërkesës për akreditim të kësaj organizate. Zyra i rekomandon KQZ, refuzimin e kërkesës për akreditim të ‘Odbor za kontrolu i opservaciju’ për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026”, tha ai.

Vëzhguesit e akredituar përfaqësojnë 5 organizata joqeveritare, 1 organizatë ndërkombëtare, 13 media vendore, 7 media ndërkombëtare, 2 ambasada dhe 1 institucion vendor.

OJQ VENDORE:

INTERNEWS KOSOVA – 23 vëzhgues;

BIRN KOSOVO – 45 vëzhgues;

Demokracia për Zhvillim (D4D) – 6 vëzhgues;

Kosova Democratic Institute – 305 vëzhgues;

Syri i Vizionit – 153 vëzhgues.

ORGANIZATË NDËRKOMBËTARE:

Nacional Democratic Institute – 14 vëzhgues.

MEDIA VENDORE:

Urgjent Inc. – 3 vëzhgues;

Albswiss Media SHPK – 2 vëzhgues;

VIM INFO DOO – 14 vëzhgues;

Telegrafi – 6 vëzhgues;

Lajmi.net – 4 vëzhgues;

KoSSev – 5 vëzhgues;

Zëri – 3 vëzhgues;

Gazeta Ekskluzive – 2 vëzhgues;

Kontakt Kosvska Mitrovica/Kontakt Plus – 4 vëzhgues;

TV DUKAGJINI – 38 vëzhgues;

RTV PULS D.O.O – 7 vëzhgues;

Radio Kim – 3 vëzhgues;

KOHA – 23 vëzhgues.

MEDIA NDËRKOMBËTARE:

The Associated Press – 8 vëzhgues;

Novinska agencija Tanjug i Tanjug televizija – 4 vëzhgues;

Top News – 5 vëzhgues;

European Pressphoto Agency (EPA Images) – 1 vëzhgues;

Mondo Inc doo – Kurir televizija – 2 vëzhgues;

Radio Evropa e Lirë – 3 vëzhgues;

GERMAN RADIO & TV ARD – 3 vëzhgues.

PËRFAQËSI DIPLOMATIKE:

Ambasada e Japonisë në Kosovë – 4 vëzhgues;

Ambasada e Italisë në Prishtinë – 4 vëzhgues.

INSTITUCION VENDOR:

Institucioni i Avokatit të Popullit – 67 vëzhgues.

Në këtë mbledhje, KQZ-ja miratoi edhe rekomandimin për pezullimin e partisë politike të regjistruar “EKO LËVIZJA E GJELBËR”.

Sipas Buzhalës, pezullimi është rekomanduar për shkak të mosmbajtjes së kuvendit zgjedhor të partisë brenda afatit shtesë të dhënë nga KQZ-ja.