Shqipëria nis ofrimin e terapisë hormonale për personat transgjinorë me fondet publike
Ministria e Shëndetësisë ka miratuar një udhëzim të ri klinik për trajtimin hormonal të personave transgjinorë në Shërbimin e Endokrinologjisë të qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” (QSUT), duke përcaktuar kriteret mjekësore, procedurat dhe mënyrën e monitorimit të terapisë.
Udhëzimi, i firmosur nga zëvendësministrja Eugena Tomini, parashikon që terapia hormonale të mbulohet nga fondet publike dhe të kryhet sipas protokolleve të standardizuara mjekësore.
Sipas dokumentit, trajtimi përfshin si pacientët e rritur me mospërputhje gjinore, ashtu edhe adoleshentët nga mosha 16 vjeç, në rastet kur kjo vlerësohet e nevojshme nga mjekët dhe miratohet nga familja.
Për pacientët e rritur, protokolli kërkon që trajtimi të realizohet nga ekipe klinike me ekspertizë në endokrinologji, shëndet mendor, kujdes parësor dhe, kur është e nevojshme, edhe kirurgji, në varësi të rastit individual.
Udhëzimi rekomandon që nivelet hormonale të mbahen në vlera fiziologjike të përshtatshme për gjininë e synuar, ndërsa pacientët të jenë nën monitorim të vazhdueshëm për rreziqe dhe komplikacione të mundshme.
Në raste specifike, kur kërkohen doza të larta hormonale ose në situata të veçanta klinike, dokumenti parasheh edhe mundësinë e ndërhyrjeve kirurgjikale në gonade, gjithmonë sipas vlerësimit mjekësor dhe nevojës së pacientit.
Po ashtu, theksohet rëndësia e monitorimit të rrezikut për zhvillim të sëmundjeve onkologjike të organeve riprodhuese, sidomos në rastet kur ndërhyrjet kirurgjikale nuk janë të plota.
Sipas udhëzimit, terapia hormonale nuk rekomandohet para pubertetit, ndërsa në raste të veçanta mund të merret në konsideratë fillimi i saj para moshës 16 vjeç, pas vlerësimeve të detajuara klinike.
Përpara fillimit të trajtimit, pacientët duhet t’i nënshtrohen ekzaminimeve të plota mjekësore dhe psikosociale, si dhe të nënshkruajnë pëlqimin e informuar, ku pranojnë rreziqet dhe efektet afatgjata, përfshirë ndikimin në fertilitet.
Protokolli paralajmëron gjithashtu për rreziqe të mundshme shëndetësore si komplikacionet kardiovaskulare, hipertensioni, çrregullimet metabolike dhe tromboembolike, duke parashikuar monitorim të rregullt, veçanërisht gjatë vitit të parë të terapisë.