Dara shkruan histori për Bullgarinë, futet në “Billboard Global” me “Bangaranga”

Fituesja e Eurovisionit 2026 për Bullgarinë, Dara, po vazhdon suksesin e jashtëzakonshëm, pas triumfit në skenën europiane, duke arritur një tjetër moment historik në karrierën e saj.

Kënga fituese “Bangaranga” është futur zyrtarisht në klasifikimin prestigjioz Billboard Global 200, duke e bërë Daran artisten e parë bullgare që arrin të hyjë në këtë renditje të rëndësishme ndërkombëtare, transmeton Zeri.info.

Vetëm pak ditë pasi ia solli Bullgarisë fitoren e parë në Eurovision Song Contest 2026 me performancën energjike të “Bangaranga”, këngëtarja ka nisur të dominojë edhe tregun global muzikor.

Kënga debutoi në “Billboard Global 200”, një arritje që konfirmon ndikimin e saj në skenën ndërkombëtare pas triumfit në Vjenë.

Sipas të dhënave të fundit, Dara u rendit në vendin e 90-të mes artistëve më të dëgjuar të javës në mbi 200 territore të botës, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Artistja, emri i plotë i së cilës është Darina Nikolaeva Yotova, mahniti publikun dhe juritë në edicionin e 70-të të Eurovisionit në Vjenë. Performanca e saj dinamike me “Bangaranga” i siguroi Bullgarisë gjithsej 516 pikë, duke triumfuar si në votat e publikut ashtu edhe në ato të jurive – një sukses që nuk ishte parë që nga viti 2017.

Fitorja e saj u konsiderua historike edhe për faktin se Bullgaria ishte rikthyer në Eurovision pas një mungese trevjeçare.

Suksesi i “Bangaranga”-s nuk është ndalur vetëm te “Billboard”. Kënga debutoi gjithashtu në vendin e 12-të në “Spotify Global Top 50”, duke grumbulluar mbi tre milionë dëgjime brenda një dite të vetme.

Po ashtu, “Bangaranga” ka arritur vendin e parë në disa shtete europiane, duke përfshirë Austrinë, Bullgarinë, Kroacinë, Gjermaninë, Lituaninë dhe Suedinë, ndërsa është futur në top 10 edhe në Finlandë dhe Turqi.

Në Mbretërinë e Bashkuar Dara shënoi një tjetër sukses të rëndësishëm, duke debutuar në vendin e 21-të në Official Charts dhe në vendin e tretë në UK Dance Chart.

Me këtë sukses të madh ndërkombëtar, Dara po konfirmohet si një nga emrat më të përfolur të muzikës evropiane dhe një nga artistet më premtuese të momentit në skenën globale. /Zëri