NASA zbulon planet për bazën hënore në kuadër të misioneve Artemis

Ndërtimi i një baze hënore në polin jugor të Hënës mbetet një nga objektivat kryesore të programit Artemis të NASA-s, teksa agjencia amerikane hapësinore ka prezantuar përditësime të reja mbi progresin e projektit ambicioz.

Pas publikimit të disa detajeve fillestare në muajin mars, drejtuesit e NASA-s kanë bërë të ditur se po vazhdojnë përgatitjet për rikthimin e astronautëve në Hënë, kësaj radhe me synimin për të krijuar një prani afatgjatë njerëzore.

Shefi i NASA-s, Jared Isaacman, deklaroi se agjencia do të “përdorë” përvojën dhe strategjitë e misioneve historike Apollo të viteve 1960 për të realizuar këtë projekt.

“Do të përcaktojmë çfarë funksionon dhe çfarë jo, pasi Hëna është po aq e bukur sa është edhe armiqësore”, tha ai për mediat ndërkombëtare.

Sipas Isaacman, kushtet ekstreme në sipërfaqen hënore paraqesin sfida të mëdha për astronautët dhe teknologjinë. Në zonat e ndriçuara nga Dielli, temperaturat mund të arrijnë mbi 250 gradë Celsius, ndërsa në errësirë zbresin nën -200 gradë Celsius.

NASA ka vënë fokus të veçantë te krateret e përhershme në hije në polin jugor të Hënës, zona që sipas shkencëtarëve nuk janë prekur nga rrezet e diellit për miliona apo edhe miliarda vite. Në këto rajone, temperaturat mund të bien nën -400 gradë Celsius.

Isaacman theksoi gjithashtu se mungesa e atmosferës në Hënë e bën sipërfaqen të pambrojtur ndaj rrezatimit kozmik, grimcave diellore dhe goditjeve të meteoritëve.

Programi Artemis synon jo vetëm rikthimin e njeriut në Hënë, por edhe krijimin e kushteve për eksplorime më të thella në hapësirë, përfshirë misionet e ardhshme drejt Marsit. /kultplus