Pingpong - Kosova mbyll garën në vendin e pestë në kategorinë U11
Federata e Pingpongut e Kosovës njofton se reprezentimi i Kosovës në kategorinë U11 ka përfunduar garën në vendin e pestë në Kampionatin Ballkanik, pas fitores ndaj Greqisë me rezultat 3:1.
Sportistët tanë treguan paraqitje shumë të mira, përkushtim dhe karakter garues gjatë gjithë kampionatit, duke përfaqësuar Kosovën në mënyrë dinjitoze në arenën ndërkombëtare.
Vlen të theksohet performanca e shkëlqyer e sportisteve tona, Zana Bllaca dhe Erina Vranovci, të cilat dhanë kontribut të madh në këtë sukses të Kosovës.
Në ndeshjen vendimtare ndaj Greqisë, Zana Bllaca zhvilloi një duel shumë të fortë ndaj Damianidao, duke arritur fitore me rezultat 3:2, fitore kjo që pati rol kyç në triumfin e Kosovës me rezultat të përgjithshëm 3:1.
Paraqitjet e tyre dëshmuan talentin, potencialin dhe të ardhmen premtuese të pingpongut kosovar.
Federata e Pingpongut e Kosovës i uron sportistët dhe trajnerët për angazhimin dhe rezultatet e arritura.