Aksident me fatalitet në Zllopek të Pejës, vdes këmbësori, arrestohet shoferi
Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti trafiku që ka ndodhur sot rreth orës 11:00 në fshatin Zllopek të Pejës.
Sipas njoftimit të Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor për të kryer hetimet lidhur me rastin.
Policia e rajonit të Pejës, ka bërë të ditur se deri te aksidenti ka ardhur derisa një automjet po qarkullonte në drejtim nga fshati Kosuriq në Pejë. Me të arritur në fshatin Zllopek, drejtuesi i automjetit dyshohet se nuk e ka përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës dhe me pjesën ballore të veturës ka goditur këmbësorin, i cili ishte duke kaluar rrugën nga ana e djathtë në të majtë të drejtimit të lëvizjes së automjetit.
Si pasojë e lëndimeve të marra, këmbësori nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve. Vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes nga mjeku kujdestar.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Instituti i Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Ndërkaq, i dyshuari për shkaktimin e aksidentit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë./Zëri