Maqedonci në SHBA, takohet me ndihmëssekretarin e Luftës

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është pritur në Departamentin e Luftës nga ndihmëssekretari i Luftës, Daniel Zimmerman.

Sipas Maqedoncit, në takim janë zhvilluar diskutime lidhur me situatën e sigurisë, zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, zhvillimin e mëtejmë të Forca e Sigurisë së Kosovës, si dhe bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.

Ai ka bërë të ditur se në fokus të bisedimeve kanë qenë edhe angazhimet e përbashkëta për paqe, siguri dhe stabilitet global.

Sipas njoftimit, Zimmermani ka vlerësuar rritjen e investimeve të Qeverisë së Kosovës në mbrojtje, progresin në forcimin e kapaciteteve ushtarake dhe vizionin për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.

Po ashtu, ai ka përshëndetur vendimet e institucioneve të Kosovës për angazhimin e ushtarakëve kosovarë krah forcave amerikane në operacionet për mbështetjen e paqes, si dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Ukrainës.

Maqedonci ka theksuar se gjatë takimit është diskutuar edhe për projekte të përbashkëta strategjike që synojnë thellimin e partneritetit me SHBA-në dhe avancimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO.

“Partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet themel i sigurisë sonë dhe garanci për ndërtimin e një ushtrie moderne, profesionale dhe të gatshme për t’i dalë zot vendit në çdo rrethanë”, ka deklaruar Maqedonci. /Zëri