BQK-ja miraton pasqyrat financiare për vitin 2025, 12 milionë euro do të transferohen në buxhetin e shtetit

Banka Qendrore e Kosovës ka miratuar pasqyrat financiare vjetore për vitin financiar 2025, të cilat kanë marrë opinion të pastër, pa kualifikim, nga auditori i jashtëm.

Sipas komunikatës, auditori ka konfirmuar se pasqyrat financiare paraqesin në mënyrë të drejtë, në të gjitha aspektet materiale, pozitën dhe performancën financiare të BQK-së, në përputhje me kornizën përkatëse të raportimit financiar.

BQK-ja njofton se gjatë vitit financiar 2025 ka realizuar të ardhura neto në vlerë prej 24 milionë eurove.

Në bazë të Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, 50 për qind e të ardhurave të ndashme transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër alokohet në fondin e rezervave të përgjithshme të bankës.

Si rezultat, 12 milionë euro nga të ardhurat e vitit 2025 do të transferohen në buxhetin e shtetit, ndërsa 12 milionë euro të tjera do të ndahen për rezervat e përgjithshme të BQK-së.

Sipas njoftimit, ky është viti i tretë radhazi që BQK-ja ndan të ardhura për buxhetin e shtetit, duke e çuar shumën totale të transferimeve në afro 38 milionë euro.

BQK-ja vlerëson se miratimi i pasqyrave financiare me opinion të pastër nga auditori i jashtëm dhe transferimi i të ardhurave për shtetin reflektojnë forcimin e qeverisjes institucionale, administrimit financiar, transparencës dhe llogaridhënies.

Tutje, banka thekson se do të vazhdojë ushtrimin e funksioneve të saj në mënyrë të pavarur dhe profesionale, me fokus në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe integritetit të sistemit financiar në vend.

Pasqyrat financiare vjetore dhe raporti i auditorit të jashtëm pritet të publikohen në pajtim me kërkesat ligjore për raportim dhe transparencë. /Zëri