Analistët: Pritet përsëritje e fushatave të kaluara zgjedhore

Sot zyrtarisht ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, e cila do të zgjasë deri më 7 qershor në orën 07:00 të mëngjesit. Njohës të rrethanave politikë në vend po vlerësojnë se fushata do të jetë përsëritje e fushatave të kaluara dhe pritet të këtë gjuhë të ashpërsuar.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor 2026 në Kosovë, ka filluar sot zyrtarisht. Njohës të politikës po vlerësojnë se edhe kjo fushatë nuk pritet të sjellë risi. Artan Muhaxhiri i tha Radio Kosovës së në këtë fushatë pritet të përdoret gjuhë e ashpërsuar.

“Nëse bazohemi në para fushatë, atëherë edhe kjo fushatë do të jetë e kotë, me sulme të poliralizuara, pa ndonjë strategji se si të përmirësohet jeta e qytetarëve. Si në vitet e kaluara do të ketë populizëm, mungesë të ofertave serioze dhe do të ketë një gjuhë të ashpërsuar e cila do të sjellë dëme dhe asnjëherë dobi për qytetarët pa marrë parasysh rezultatin zgjedhor”, tha Muhaxheri.

As njohësi tjetër i rrethanave politike në vend, Mazllum Baraliu, nuk pret risi nga kjo fushatë. Ai në një përgjigje për Radio Kosovën tha se kandidatët e të gjitha partive politike duhet të kenë kujdes për sa i përket përdorimit të gjuhës në fushatë, pasi kjo e dëmton procesin.

“Edhe në zgjedhjet e parakaluara nuk kishin programe. Prandaj është vetëm përsëritje e atyre premtimeve që ata i kanë dhënë hera-herës në zgjedhjet e kaluara. Andaj, pasi nuk ka programe gjuha jo politike, jo demokratike, jo adekuate, nuk i shkon në favor askujt dhe kandidatët duhet të kenë kujdesin e duhur por edhe obligimin që e kanë me ligj dhe rregullore ta respektojnë”, tha Baraliu.

Fushata ka nisur zyrtarisht në mesnatë dhe do të zgjasë dhjetë ditë, përkatësisht deri më 7 qershor në orën 07:00, kur edhe hapen vendvotimet. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këto zgjedhje kanë të drejtë vote gjithsej 2,092,174 qytetarë. Prej tyre, 1,959,962 votues do të votojnë brenda vendit, ndërsa 132.212 qytetarë janë regjistruar për votim nga diaspora, përmes postës apo përfaqësive diplomatike.

Në garën për 120 ulëset e Kuvendit marrin pjesë 23 subjekte politike me gjithsej 917 kandidatë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në listat e partive politike janë të përfshirë 603 burra dhe 314 gra. Gjatë këtyre ditëve partitë do të kenë të drejtë t’i shpenzojnë 2 milionë e 92 mijë euro. Kostoja buxhetore e këtyre zgjedhjeve të parakohshme kap vlerën 10 milionë e 887 mijë euro.