Policia në Prizren sekuestron armë e fishekë

Brenda dy ditëve të fundit Policia në Prizren ka sekuestruar dy armë zjarri në raste të ndara.

Sipas Policisë, rasti i parë ka ndodhur më 25 maj, në orën 23:20, në fshatin Lubizhdë e Hasit. Pas një denoncimi për të shtëna me armë, patrulla policore ka identifikuar të dyshuarin, i cili pranoi se kishte shtënë gjatë një gazmendi familjar.

Ai dorëzoi vullnetarisht një armë me gaz të tipit “Zoraki M”, një karikator, 28 fishekë dhe 8 gëzhoja.

Provat materiale u sekuestruan nga Njësiti i Forenzikes, ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari u ndalua për 48 orë.

Ndërsa rasti i dytë raportohet të ketë ndodhur më 27 maj, në orën 23:15, në rrugën “Remzi Ademaj”.

Gjatë një kontrolli rutinë në një lokal, tek i dyshuari është gjetur një pistoletë me këllëf, një karikator dhe 14 fishekë.

I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë.

Po ashtu, armët dhe municioni janë sekuestruar si prova materiale. /klankosova