Çmimet e prodhimit në Kosovë u rritën për 7,9 për qind këtë vit
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar Indeksin e Çmimeve të Prodhimit (IÇP) për tremujorin e parë të vitit 2026, ku rezulton se çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar rritje si në baza tremujore, ashtu edhe në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas ASK-së, indeksi i përgjithshëm i çmimeve të prodhimit u rrit për 2,3 për qind në tremujorin e parë 2026 krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025, ndërsa krahasuar me tremujorin e parë 2025, rritja mesatare arriti në 7,9 për qind.
Në krahasimin mes tremujorit të parë 2026 dhe tremujorit të katërt 2025, rritjet më të mëdha janë regjistruar te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me 34,4 për qind, prodhimi i pijeve me 15.9 për qind, si dhe prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës me 9,6 për qind.
Rritje janë evidentuar edhe te prodhimi i metaleve, produktet minerale jometalike, produktet kimike, përpunimi i produkteve ushqimore dhe prodhimi i gomës dhe plastikës.
Ndërkohë, ASK-ja bën të ditur se kjo ngritje është neutralizuar pjesërisht nga rënia e çmimeve në sektorin e energjisë elektrike, gazit dhe furnizimit me ajër të kondicionuar me 2,7 për qind, si dhe te prodhimi i makinerive dhe pajisjeve, produktet metalike dhe shtypja e mediave të incizuara.
Sa i përket krahasimit vjetor, ndërmjet TM1 2026 dhe TM1 2025, rritjet më të theksuara janë regjistruar te grumbullimi, trajtimi dhe furnizimi me ujë me 32,2 për qind, energjia elektrike dhe gazi me 18.1 për qind, prodhimi i letrës dhe produkteve prej letrës me 15,5 për qind, si dhe prodhimi i pijeve me 15,2 për qind.
Rritje të tjera janë evidentuar edhe në sektorin e veshjeve, përpunimit të ushqimit, prodhimit të drurit, mobilieve, pajisjeve elektrike dhe produkteve kimike.
Në anën tjetër, ulje të çmimeve janë regjistruar te veprimtaritë e grumbullimit dhe trajtimit të mbeturinave me 5,3 për qind, prodhimi i metaleve me 2,6 për qind dhe prodhimi i lëkurës dhe produkteve prej lëkurës me 0,1 për qind. /Zëri