Vrasja e rëndë në Prishtinë, Prokuroria jep detaje për rastin në “Bregun e Diellit”

Një person është vrarë mbrëmë në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Prokuroria përmes një komunikate për media, ka dhënë detaje në lidhje me rastin, ku ka konfirmuar se viktima është A.H.

Në njoftim thuhet se menjëherë pas pranimit të informatave nga Policia e Kosovës, në vendin e ngjarjes kanë dalë kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda, si dhe njësitet e tjera relevante, të cilët kanë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

“Në kuadër të këtyre veprimeve është mundësuar edhe sigurimi dhe analizimi i videoincizimeve nga kamerat e sigurisë, të cilët do të shërbejnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, thuhet në vendin e ngjarjes ka dalë edhe njësia K9, me qëllim të gjurmimit të lëvizjeve të personit të dyshuar dhe viktimës.

Ndërkaq, me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, për obduksion.

I dyshuari i rastit është në kërkim.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, po vazhdon ndërmarrjen e veprimeve intensive hetimore dhe operative me qëllim të arrestimit të personit të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, thuhet në njoftim. /Zëri