Tërnava: Fushata e ndërtuar mbi përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës e as të ardhmes së saj
Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, Myftiu Naim Tërnava mbajti Hytben e Kurban Bajramit.
Në fjalën e tij, i pari i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), kërkoi nga politikanët që të kenë kujdes në gjuhën e tyre gjatë fushatës zgjedhore e cila nis sot dhe kërkoi që të mos mbjellin urrejtje, të mos krijojnë përçarje e të mos shpifin siç tha ai, ndaj dhe për njëri-tjetrin, shkruan Zeri.info.
Sipas Tërnavës, një fushatë e ndërtuar mbi përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës e as të ardhmes së saj
“Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve, që të merrni pjesë në zgjedhje me vetëdije të plotë qytetare, të votoni lirshëm me përgjegjësi dhe sipas bindjes suaj për ata që mendoni se e meritojnë besimin dhe që kanë vizion. Në këtë fushatë parazgjedhore, le të mos ketë vend për gjuhën e urrejtjes, fyerjet, linçimet, akuzat e pabazuara dhe njollosjen e njëri-tjetrit me të pavërteta vetëm për hir të në vote. Një fushatë e ndërtuar mbi përçarje dhe shpifje nuk i shërben Kosovës e as të ardhmes së saj. Le të mbizotëroj urtësia, dinjiteti dhe kultura demokratike e dialogut, të kemi respekt për mendimet ndryshe sepse pikërisht përmes kundërmendimeve të shprehura me qytetari ndërtohet një shoqëri më e drejtë, më e pjekur dhe më e mirë për të gjithë. Kosova ka nevojë për debat të bazuar në ide dhe argumente jo në urrejtje e përçarje, ka nevojë për vizion dhe përgjegjësi, jo për baltosje e sulme personale, për afrim e mirëkuptim mes njerëzve e jo për ndarje që dëmtojnë shoqërinë tonë”, theksoi Tërnava. /Zëri