Aktakuzë drejtorit të Administratës së Spitalit të Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet Z.M., nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, në cilësinë e drejtorit të Departamentit të Administratës dhe Shërbimeve Ndihmëse në spitalin e përgjithshëm “Isa Grezda”, nga janari i vitit 2019 deri në fund të vitit 2023, dyshohet se me dashje nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare.

Prokuroria pretendon se ai, ndonëse kishte qenë i njoftuar për mungesat në punë të nëpunësit Xh.Z., nuk kishte iniciuar procedurë disiplinore ndaj tij, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për zyrtarët publikë.

Sipas dosjes së Prokurorisë, nëpunësi Xh.Z., i punësuar si operator në statistikë, ka përfituar pagë bruto në vlerë prej 21 mijë e 473 eurove e 42 centësh, pa u paraqitur në punë gjatë periudhës 2019-2023, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Me këto veprime, Z.M. dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga Neni 414 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe, përveç dënimit sipas ligjit, t’i shqiptohet edhe masa plotësuese e ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik. /Zëri