Përplasje mes një automjeti dhe kamionetës së FSK-së, tre të lënduar

Një aksident me disa të lënduar ka ndodhur sot në rrugën Klinë - Gjakovë.

Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë një automjet (Pick Up) dhe një kamionetë e FSK-së.

Detaje lidhur me këtë ngjarje ka dhënë Albin Sahatqija, komandant i Trafikut Rajonal në Gjakovë.

“Dyshohet se deri tek aksidenti ka ardhur si pasojë e tejkalimit në vijë të plotë të shoferit të ‘Pick Up’, i cili ishte duke shkuar në drejtim të Klinës dhe i njëjti është përplasur përballë me kamionetën e FSK-së. Sipas raportit që e kemi shoferi i mjetit ‘Pick Up’ i ka lëndimet më të rënda, ndërsa pasagjerja ka po ashtu lëndime më të lehta. Lëndime ka pësuar edhe drejtuesi i kamionetës së FSK-së”, deklaroi Sahatqija.

“Policia ka nisur hetimet lidhur me rastin. Hetuesit e aksidenteve e kanë bërë shikimin e vendit të ngjarjes dhe po punohet në rast”, shtoi ai.