Kurti në IPK: Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Inspektoratin Policor të Kosovës, institucion për të cilin tha se ndodhet në themel të besimit publik dhe të shtetit të së drejtës.

Në fjalën e tij, Kurti vlerësoi punën e IPK-së në rritjen e integritetit dhe llogaridhënies brenda institucioneve të sigurisë, duke theksuar se kontrolli institucional është thelbësor për demokracinë dhe besimin qytetar.

“Një IPK e fortë do të thotë një polici më e pastër. Një polici më e pastër do të thotë një shtet më i drejtë dhe një shtet më i drejtë do të thotë më shumë besim për qytetarët”, deklaroi Kurti.

Ai tha se gjatë viteve të fundit IPK-ja ka rritur ndjeshëm efikasitetin në trajtimin e ankesave të qytetarëve, duke u shndërruar në një adresë të besueshme për shqyrtimin e shqetësimeve ndaj veprimeve të policisë.

Sipas tij, janë trajtuar mijëra raste dhe ankesa, ndërsa përmes operacioneve “Pika” dhe “Pika 2” janë ndërmarrë veprime ndaj dhjetëra zyrtarëve policorë të dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kurti theksoi gjithashtu se IPK-ja ka forcuar praninë institucionale në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe katër komunat në veri, duke rritur qasjen dhe besimin e qytetarëve në institucione.

Në takim ishin të pranishëm edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj.

Kurti tha se Qeveria do të vazhdojë mbështetjen për IPK-në në fuqizimin e kapaciteteve profesionale, garantimin e pavarësisë funksionale dhe modernizimin teknologjik të institucionit. /Zëri