Aksidentoi për vdekje 7-vjeçarin në Elbasan, arrestohet regjisori shqiptar
Pas aksidentit të djeshëm, ku përplasi për vdekje një 7-vjeçar në rrugën Elbasan-Librazhd, është arrestuar regjisori Petri Bozo.
Kështu raporton A2, teksa bën të ditur se i dyshuari deklaroi në polici se nuk ka qenë me shpejtësi.
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën në mëngjes. Rreth orës 08:00, në aksin rrugor “Elbasan–Librazhd”, në fshatin Mengël, automjeti që drejtohej nga regjisori Petri Bozo përplasi një 7-vjeçar, i cili si pasojë humbi jetën. Ngjarja ndodhi pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”, e vendosur buzë aksit nacional “Elbasan–Librazhd”. I mituri kishte shoqëruar motrën në shkollë së bashku me nënën e tyre, ndërsa vetë zhvillonte mësimin pasdite në të njëjtën shkollë.
Dinamika dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa policia nuk ka dhënë ende një version zyrtar të ngjarjes.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, pasi kishin lënë vajzën në shkollë, nëna dhe djali po drejtoheshin drejt një dyqani pranë saj. Në ato momente, dyshohet se 7-vjeçari i është shkëputur nga dora së ëmës dhe është përplasur nga automjeti që drejtohej nga regjisori Bozo.