Papa Leo kundër IA: Inteligjenca Artificiale po bëhet armë

Papa Leo XIV ka bërë një thirrje të fortë për një “çarmatim” të inteligjencës artificiale, duke paralajmëruar se zhvillimi i pakontrolluar i kësaj teknologjie mund të sjellë forma të reja dominimi, përjashtimi dhe madje edhe “skllavëri moderne”.

Në enciklikën e tij të parë, të titulluar “Magnifica Humanitas”, Papa thekson se gara globale për zhvillimin e algoritmeve gjithnjë e më të avancuara dhe për mbledhjen masive të të dhënave po nxitet nga interesa gjeopolitike dhe komerciale, gjë që sipas tij rrit ndjeshëm rrezikun e abuzimit me inteligjencën artificiale, raporton BBC.

Ai ka kërkuar që pronësia dhe kontrolli i të dhënave të AI-së të mos mbetet vetëm në duart e kompanive private, duke u bërë thirrje qeverive që të vendosin rregulla të forta ligjore, mekanizma të pavarur mbikëqyrës dhe masa konkrete për mbrojtjen e punëtorëve dhe fëmijëve nga ndikimet negative të teknologjisë.

Sipas tij, inteligjenca artificiale duhet të “çlirohet nga logjikat e dominimit” dhe të vihet në shërbim të së mirës së përbashkët, duke e krahasuar ndikimin e saj potencial në shoqëri me atë të energjisë bërthamore.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar fuqishëm kundër përdorimit të inteligjencës artificiale në sistemet e armatimit, duke theksuar se vendimet për jetë dhe vdekje nuk duhet t’u besohen kurrë algoritmeve dhe se lufta nuk mund të justifikohet moralisht përmes teknologjisë.

Dokumenti i gjatë, i cili përmban dhjetëra mijëra fjalë, trajton gjithashtu ndikimin social dhe ekonomik të inteligjencës artificiale, përfshirë rrezikun e humbjes së vendeve të punës, si dhe nevojën për një shpërndarje më të drejtë të përfitimeve që vijnë nga zhvillimi teknologjik.