Shkeli perimetrin e sigurisë në plazh, gjobitet lundruesi në Dhërmi

Një drejtues i mjetit lundrues në Dhërmi është gjobitur pasi që ka rrezikuar jetën e pushuesve në plazh, duke shkelur perimetrin e sigurisë.

Policia shqiptare ka njoftuar se drejtuesin e mjetit lundrues e ka ndëshkuar me 500 mijë lekë për veprimin e bërë.

Gjithashtu, Policia Kufitare ka bërë edhe bllokimin e mjetit lundrues.

“Shërbimet e Policisë Kufitare dhe ato të Njësisë Policore Detare të DVKM Vlorë kanë intensifikuar masat, duke shtuar ndjeshëm patrullimet në vijën bregdetare Vlorë-Ksamil. Gjatë patrullimit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë marrë njoftim nga pushuesit se një mjet lundrues gomone kishte hyrë në afërsi të bregut në zonën e Dhërmiut, duke rrezikuar sigurinë e personave që bënin plazh.”, thuhet në njoftim.

Policia Kufitare ka apeluar për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese që të respektojnë me rigorozitet rregullat e lundrimit dhe perimetrin e sigurisë për pushuesit që bëjnë plazh në zonat e përcaktuara.