Hysaj i jep fund aventurës te Lazio pas pesë vjetësh
Elseid Hysaj nuk do të jetë më pjesë e Lazio. Mbrojtësi shqiptar i ka dhënë lamtumirën klubit nga kryeqyteti italian pas pesë vitesh bashkëpunim, përmes një postimi emocional në rrjetet sociale.
Tridhjetë e dy vjeçari e ka konfirmuar fundin e qëndrimit të tij te Lazio, por nuk ka zbuluar se cili do të jetë hapi i ardhshëm në karrierën e tij.
Në sezonin e fundit, Hysaj ka pasur pak hapësira në skuadër, duke regjistruar vetëm 170 minuta lojë dhe duke u aktivizuar në pesë ndeshje.
Në mesazhin e lamtumirës, futbollisti shkodran ka falënderuar bashkëlojtarët, tifozët dhe qytetin e Romës për mbështetjen gjatë viteve të kaluara.
“Pas pesë vitesh në këtë fanellë, ka ardhur koha për të thënë lamtumirë. Kanë qenë vite intensive, plot emocione, me momente të bukura dhe të vështira, por gjithmonë kam dhënë maksimumin me profesionalizëm dhe respekt”, ka shkruar Hysaj.
Ai ka vlerësuar edhe raportin me bashkëlojtarët, duke i quajtur një grup të jashtëzakonshëm, ndërsa ka falënderuar tifozët e Lazios për përkrahjen dhe ngrohtësinë e treguar.