Pacolli tha se LVV-ja e mbrojti Kosovën nga Thaçi, Veseli e Haradinaj, Çitaku: Marri e llojit të vet

Anëtarja e Kryesisë së PDK-së, Vlora Çitaku ka komentuar deklaratën e ministres në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, e cila javën e kaluar në një emision televiziv tha se Lëvizja Vetëvendosje “e ka mbrojtur Kosovën” nga emra si Isa Mustafa, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli dhe vetë Çitaku.

“Prej Isa Mustafës, prej Hashim Thaçit, prej Ramush Haradinajt, prej Kadri Veselit, prej Vlora Çitakut. Mundesh me kanë luftëtarë e masandej në paqe me vjedh”, deklaroi Pacolli në emision.

Videoja me këtë deklaratë po qarkullon gjerësisht dhe po komentohet në rrjetet sociale.

Në një prononcim për KlanKosova.tv, Çitaku tha se emri i saj nuk meriton të përmendet në të njëjtën listë me, siç i quajti ajo, “heronjtë e gjallë” të Kosovës.

Madje, ish-deputetja e PDK-së e cilësoi deklaratën e Pacollit si “marri të llojit të vet”.

“Nuk e meritoj unë me qenë në një listë me Hashim Thaçin e Kadri Veselin dhe heronjtë e gjallë që kanë dhënë gjithçka nga vetja për lirinë dhe pavarësinë që kemi sot. As për së afërmi kontributi im dhe i të tjerëve nuk është afër tyre. Po besoj që Fitorja ka ba hajgare. Është marri e llojit të vet me mendu që Kosovën duhet me e mbrojtë prej atyre që kanë qenë në gjendje me vdek për këtë vend”, deklaroi Çitaku.