Hoxha falënderon Rubion për nderimin e Nënë Terezës

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, falënderoi Sekretarin Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për nderimin e Nënë Terezës, shenjtores me origjinë shqiptare që la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme dhembshurie, përulësie dhe shërbimi ndaj njerëzimit.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hoxha shkruan se “jeta e jashtëzakonshme e Nënë Terezës dhe besimi i saj i thellë katolik mbeten një shembull i gjallë i përkushtimit ndaj atyre që kanë më shumë nevojë për kujdes, vëmendje dhe shpresë”.

Sipas tij, shpirti i saj vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në mbarë botën përmes akteve të dashurisë, sakrificës dhe solidaritetit me më të varfrit dhe më të pambrojturit mes nesh.

“Siç ka thënë me mençuri: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe””, shkruan Hoxha.

Sekretari i Shtetit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marco Rubio, kujtoi figurën e Nënë Terezës gjatë një vizite në Misionaret e Bamirësisë, ku bëri homazhe për trashëgiminë e saj.

Nënë Tereza mbetet një nga figurat më të njohura shqiptare në botë, simbol i përkushtimit ndaj njerëzve në nevojë dhe i vlerave të humanizmit e solidaritetit./atsh