Në Graçanicë konfiskohet kokainë dhe marihuanë, arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimin për “posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve".

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja ka ndodhur gjatë ndalimit të një veture me targa vendore, ku njësiti antidrogë ka zbuluar substanca të dyshuara narkotike.

“Gjatë ndaljes së veturës pasagjeri ka hedhur jashtë një qese e cila ishte e mbushur me pluhur të bardhë e dyshuar substancë narkotike e llojit kokainë me peshë 81.8 gram,” thuhet në raportin policor.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të mëtejshëm, te vozitësi është gjetur një sasi tjetër e vogël e dyshuar si kokainë, rreth 0.2 gram.

Pas konsultimit me prokurorin, janë kryer bastisje edhe në tri lokacione të ndryshme, ku janë gjetur edhe 0.2 gram marihuanë, si dhe janë sekuestruar një telefon mobil dhe një pajisje elektronike.

Policia ka bërë të ditur se “substanca e dyshuar, një telefon dhe një pajisje elektronike DV janë konfiskuar”, ndërsa të dy të arrestuarit janë intervistuar dhe më pas janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit. Hetimet për rastin po vazhdojnë.