Gjykimi për aksidentin me fatalitet në Prishtinë, shfaqen videoincizimet nga vendi i ngjarjes

Në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Vullnet Gashit, i cili po akuzohet për aksidentin me fatalitet që ndodhi në dhjetor të vitit 2023 në lagjen “Dardania” në Prishtinë, u shfaqën video-incizime nga vendi i ngjarjes, si dhe u dëgjua eksperti i komunikacionit rrugor, Ahmet Maxhuni, i cili tha se shpejtësia e automjetit të të akuzuarit ishte 50-60 km/h në një rrugë në vendbanim me kufizim prej 40 km/h.

Në këtë rast, Vullnet Gashi akuzohet se, si pasojë e aksidentit të shkaktuar në dhjetor të vitit 2023 në Prishtinë, këmbësori F.B. kishte vdekur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në videon e parë të shfaqur u panë disa persona në grup, ndërsa në mesin e tyre gjendej i shtrirë një person apo gjësend, i cili në këtë pamje nuk mund të identifikohej qartë.

Ndërsa, në videon e dytë shfaqej brendia e tarracës së një lokali në vendngjarje dhe në sfond vërehej kolona e automjeteve që vazhdonte të lëvizte në të gjithë shiritat e rrugës.

Prokurori Ardian Mehmeti tha se në videon e dytë shihet duke kaluar vetura e të akuzuarit Gashi, një Porsche me ngjyrë të kuqe, e cila kalon në shiritin e djathtë, i dedikuar vetëm për autobusë dhe taksi.

Mbrojtësi i palës së dëmtuar V.B., avokati Emrush Kastrati, deklaroi se kjo pamje nuk është e plotë, pasi pala e dëmtuar posedon edhe pamje tjera, duke propozuar që Gjykata të kërkojë nga organet hetuese edhe video të tjera.

E dëmtuara V.B. mbështeti fjalën e mbrojtësit të saj, duke shtuar se ditën kritike në rrjete sociale janë shpërndarë edhe pamje tjera nga kjo ngjarje, si dhe gjatë intervistimit në polici ishin prezantuar edhe video të tjera.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Driton Muharremi, e kundërshtoi këtë propozim, duke shtuar se kanë kaluar dy vite nga ngritja e aktakuzës dhe gjatë kësaj kohe të gjitha provat kanë mundur të sigurohen. Ai tha se provat nuk kanë një burim të verifikuar dhe nuk janë marrë gjatë kohës së zhvillimit të hetimeve, andaj i konsideron të papranueshme.

Gjithashtu, avokati Muharremi propozoi aprovimin e ekspertizës së ekspertit të komunikacionit, Durak Cikaqi, të nxjerrë nga ana e mbrojtjes, duke shtuar se e njëjta është tërësisht e kundërt me atë të ekspertit të angazhuar nga Prokuroria.

Gjyqtari Driton Berisha refuzoi propozimin e palës së dëmtuar për prova të reja, me arsyetimin se ato nuk janë paraqitur në Gjykatë dhe palët në procedurë nuk kanë pasur mundësi t’i shohin dhe të deklarohen lidhur me to.

Ndërsa, gjyqtari Berisha aprovoi propozimin e mbrojtjes për administrimin e ekspertizës së ekspertit të komunikacionit, Durak Cikaqi.

Tutje, seanca vazhdoi me dëgjimin e ekspertit të komunikacionit, Ahmet Maxhuni, i cili u ftua nga Gjykata sipas detyrës zyrtare.

Eksperti Maxhuni deklaroi se shpejtësia e lejuar e lëvizjes në rrugën ku ndodhi ngjarja ishte 40 km/h dhe se, përveç respektimit të kufizimit të shpejtësisë, ngasësi i veturës duhej të kishte parasysh edhe rrethana të tjera sa i përket lëvizjes në vendbanim, duke përfshirë këmbësorët, fëmijët dhe ndërrimin e shiritave në mënyrë të kujdesshme.

Ai tha se, bazuar në analizën dhe elaborimin e provave eksperimentale, shpejtësia e automjetit të të akuzuarit ishte rreth 50-60 km/h, por se matje të tjera nuk ka pasur për shkak të mungesës së gjurmëve të frenimit të automjetit.

Sipas ekspertit, konstatimi i shpejtësisë mund të bëhet edhe përmes dëmeve të automjetit, ku në rastin konkret ishte thyer xhami mbrojtës i veturës.

Eksperti Maxhuni deklaroi se shpejtësia e saktë nuk është përcaktuar, pasi ajo dallon varësisht nga forma dhe specifikat e automjetit.

Ai deklaroi se edhe këmbësori, i ndjeri F.B., kishte bërë lëshime sa i përket kalimit të rrugës me tre shirita, pasi nuk kishte përdorur vendkalimin për këmbësorë. Sipas ligjit, ai tha se kishte të drejtë ta kalonte rrugën aty, por me kujdes të shtuar.

Eksperti tha se i akuzuari ka vepruar në kundërshtim me ligjin, duke lëvizur në shiritin e dedikuar për autobusë dhe taksi.

Seanca u ndërpre për shkak të angazhimit të gjyqtarit në një seance tjetër urgjente të caktuar më herët, dhe u caktua për të vazhduar një datë tjetër.

Ndryshe, ky rast ishte në gjykim tek gjyqtarja Naime Krasniqi-Jashanica, por për shkak të degradimit të saj nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Kundërvajtje, rasti kaloi tek gjyqtari Driton Berisha.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzuari Vullnet Gashi më 2 dhjetor 2023 në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, derisa ishte duke drejtuar veturën pa patentë shofer, në shiritin e djathtë të dedikuar vetëm për lëvizjen e autobusëve dhe taksive, nga pakujdesia ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, ashtu që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, kushteve të rrugës, gjendjes dhe llojit rrugës në mënyrë që të ndalë mjetin para çdo pengese që mund të paraqitet, ka rrezikuar trafikun publik dhe ka vënë në rrezik jetën e njerëzve.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa tani i ndjeri F.B., ishte duke kaluar rrugën, në kundërshtim me Ligjin për Rregullat e Trafikut Rrugor, jashtë vendkalimit të këmbësorëve, nga ana e majtë në të djathtë (drejtimi i lëvizjes së automjetit), në ato momente në shiritin e mesëm të trafikut ishte duke lëvizur një kamion dhe me të arritur pranë “Euro Roleta”, i pandehuri me pjesën e parë ballore e godet tani të ndjerin, i cili si pasojë e lëndimeve të marra, kishte ndërruar jetë.

Aktakuza thotë se Raporti i Autopsisë i datës 12 dhjetor 2023, tregon se vdekja e tani të ndjerit F.B., është e dhunshme dhe ka ardhur si pasojë e traumës së shumëfishtë, ku tregohen edhe lëndimet trupore që kishte marrë tani i ndjeri si pasojë e aksidentit.

Me këtë, i pandehuri Vullnet Gashi po akuzohet se ka kryer veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik” nga Neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 6 dhe paragrafin 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi