Daut Haradinaj: Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më makabre të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë
Daut Haradianaj ka përkujtuar të rënët e masakrës në Dubravë, ku u shpreh se kjo masakër mbetet një nga krimet më makabre të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Postimi i plotë:
E vërteta e pamohueshme është se agresioni i Serbisë në Kosovë ishte gjenocidal. Masakra e Dubravës mbetet një nga krimet më makabre të kryera ndaj shqiptarëve në Kosovë. Të masakrosh njerëz të kidnapuar, të pambrojtur dhe të mbyllur brenda një burgu ishte një akt që i dëshmoi botës fytyrën barbare të Serbisë.
Në masakrën e Dubravës u vranë 119 shqiptarë, mbi 300 u plagosën dhe rreth 980 të burgosur shqiptarë përjetuan terrorin dhe dhunën çnjerëzore brenda burgut.
Regjimi kriminal i Millosheviqit la pas varre masive, dhimbje dhe plagë që nuk shërohen kurrë. Por, përkundër terrorit dhe barbarisë, populli i Kosovës nuk u gjunjëzua.
Kosova e ka historinë të shkruar me gjakun e martirëve dhe me sakrificën e një populli që luftoi për liri, dinjitet dhe shtet. Dhe pikërisht për këtë, e vërteta nuk mund të fshihet kurrë. Gjatë bisedave me heronjtë e gjallë mësova tmerrin e asaj dite; ata sot janë gjallë për të dëshmuar këtë krim të shtetit serb. /Zëri