MBPZHR rikthen në administrim objektin e uzurpuar në Zveçan
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), përmes Drejtoratit të Inspektoratit Qendror të Pylltarisë dhe Gjuetisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë Pyjore të Kosovës, ka zhvilluar sot një aksion në Komunën e Zveçan për rikthimin në pronësi dhe administrim të një objekti që deri më tani ishte i uzurpuar dhe shfrytëzohej nga strukturat paralele në veri të vendit.
Sipas njoftimit, aksioni është realizuar në bazë të vendimit të ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, për racionalizimin e hapësirave administrative dhe optimizimin e shfrytëzimit të pronës publike.
Nga MBPZhR bëhet e ditur se përmes këtij procesi synohet riorganizimi i hapësirave institucionale dhe orientimi më efikas i resurseve financiare, me qëllim që mjetet publike të ridrejtohen drejt investimeve për fermerët dhe zhvillimit të sektorit bujqësor.
Tutje, ministria thekson se ky veprim është pjesë e procesit të riorganizimit institucional dhe optimizimit të shfrytëzimit të pronës publike, me synim rritjen e efikasitetit administrativ, uljen e kostove operative dhe përmirësimin e funksionimit të institucioneve publike.
Në kuadër të këtij procesi, MBPZhR synon zhvendosjen graduale të institucioneve vartëse në objekte publike, duke reduktuar shpenzimet e qirasë dhe duke forcuar menaxhimin e pronës shtetërore./Zëri