Përurohet strehimorja e parë institucionale në veri, investim prej mbi 634 mijë eurove

U.d. e presidentes Albulena Haxhiu ka përuruar strehimoren e parë institucionale në veri të vendit, e cila është rinovuar me një investim prej 634 mijë eurosh.

Sipas njoftimit, Haxhiu tha se vizita në pjesën veriore të Mitrovicës nisi “aty ku shihet qartë dallimi mes shtetit që rikthen ligjin dhe krimit që ka dashur ta mbajë peng”.

Ajo theksoi se kjo është strehimorja e parë në rajon, e ndërtuar sipas standardeve të Konventës së Stambollit.

“Asokohe si ministre e Drejtësisë, bashkë me ish-kryetarin e Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq dhe ministrin Xhelal Sveçla e ridestinuam këtë objekt në strehimore për viktimat e dhunës në familje”, deklaroi Haxhiu.

Tutje, ushtruesja e detyrës së presidentes bëri të ditur se çelësat e objektit i janë dorëzuar ministrit Andin Hoti, në mënyrë që hapësira të vihet plotësisht në funksion të personave që kanë nevojë për siguri, kujdes dhe dinjitet. /Zëri