Policia gjen armë zjarri dhe 19 fishekë te një nxënës në një shkollë në Skenderaj

Policia e Kosovës ka konfiskuar një armë zjarri nga një nxënës i shkollës së mesme në Skenderaj, gjatë kontrolleve të realizuara për rritjen e sigurisë nëpër shkolla.

Sipas policisë, në kuadër të planit për parandalimin e dukurive negative, gjatë javës së kaluar janë kryer kontrolle në tri shkolla të mesme në Mitrovicë të Jugut, ku janë kontrolluar 460 nxënës, por nuk është gjetur asnjë mjet i rrezikshëm apo i kundërligjshëm.

Ndërkaq, sot në një shkollë të mesme në Skenderaj, stafi i shkollës ka realizuar kontroll të nxënësve dhe më pas ka njoftuar njësinë policore për sigurinë në shkolla se tek dy nxënës janë gjetur mjete të rrezikshme.

Tek njëri nxënës është gjetur një thikë, ndërsa tek tjetri:

një armë zjarri – pistoletë;

19 fishekë;

një gëzhojë;

një predhë e armës së gjatë.

Policia ka konfiskuar të gjitha mjetet e dyshuara dhe ka shoqëruar dy nxënësit në stacion policor.

Ata janë intervistuar në prani të prindërve dhe mbrojtësve të tyre, ndërsa me vendim të prokurorit për të mitur janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndaj nxënësit tek i cili është gjetur arma e zjarrit është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia ka bërë të ditur se kontrolle të tilla do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, duke apeluar që nxënësit të mos bartin armë apo mjete të rrezikshme, pasi ato paraqesin rrezik serioz për sigurinë dhe janë të ndaluara me ligj.