Dogana e Kosovës zbulon në Prizren fishekzjarrë të deklaruar si qirinj

Dogana e Kosovës ka zbuluar një rast të deklarimit të pasaktë të mallrave gjatë një kontrolli doganor në Zyrën Doganore në Prizren.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë ekzaminimit të një dërgese të importuar, zyrtarët doganorë kanë konstatuar mospërputhje ndërmjet deklarimit doganor dhe gjendjes faktike të mallit.

"Dërgesa ishte deklaruar si qirinj, por pas kontrollit fizik është vërtetuar se bëhej fjalë për fishekzjarre. Autoritetet kanë bërë të ditur se përveç klasifikimit të gabuar tarifor, për këtë lloj malli kërkohet edhe licencë për import të mjeteve plasëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi:, thuhet në njoftimin e Doganës.

Sipas vlerësimeve preliminare, shmangia e obligimeve doganore dhe tatimore si rezultat i deklarimit të gabuar arrin në mbi 2 mijë e 500 euro.

Lidhur me rastin, Dogana e Kosovës ka iniciuar procedurë për kundërvajtje doganore, bazuar në dispozitat e Kodit Doganor dhe të Akcizave.

“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e deklarimeve të pasakta, mbrojtjen e sigurisë publike dhe garantimin e zbatimit të drejtë të legjislacionit doganor”, thuhet në njoftim.